Pronari i kompanisë “Fidola ShPK’ konfirmon arrestimin e djalit të tij, punëtori i lënduar i nënshtrohet operacionit

Punëtori i kompanisë së ndërtimit, ‘Fidola ShPK’ që u lëndua teksa po punonte i është nënshtruar operacionit dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Policia dhe Inspektorati tashmë kanë nisur hetimet për ndriçimin e rastit, teksa menaxheri kryesor i kompanisë, i cili është edhe djali i pronarit, është dërguar në mbajtje.

Sinjali raportoi sot se rasti ka ndodhur në një objekt në fshatin Zllatar të Prishtinës, ku viktima është rrëzuar nga një lartësi derisa ishte duke punuar dhe për pasojë ka marrë lëndime në kokë.

Lidhur me rastin, në një prononcim për Sinjalin, pronari i kompanisë, Isak Fejza, e ka konfirmuar se djali i tij, Fidan Fejza, është ndaluar si i dyshuar, teksa ka dhënë disa detaje se si ka ndodhur incidenti.

Sipas Fejzës, të gjitha kushtet në vendin ku ka punuar viktima janë plotësuar dhe një gjë e tillë mund të vërtetohet.

“Po, sipas dëshmitareve punëtori ka ra nga një lartësi prej 70 centimetrave, nuk ka qenë në skele. Është lënduar dhe më pas është operuar. Sipas mjekëve është në gjendje stabile.

Djali është arrestuar. Kushtet janë të gjitha të plotësuar, i ka pasë pajisjet personale të gjitha.  Unë nuk e di qysh është iniciu rasti, por dëshmitarët e kanë parë se si ka ndodhur rasti.”, tha Fejza për Sinjalin.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ndaj Fidan Fejzës është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” dhe pas përfundimit të hetimit do të vendoset për aktakuzën eventuale dhe cilësimin e saktë ligjor.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ushtari i FSK-së flet për mediumin turk: Me dëshirën e Zotit, do ta kryejmë me sukses këtë akcion