Profesori anglez: Qeveria e Kosovës ta respektojë vetën, të mos zmbrapset nga vendimi për targat

Për ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Westminster, Aidan Hehir, Qeveria e Kosovës me vendimin për targat është në drejtën e saj dhe rrjedhimisht po vepron si një qeveri e një shteti të pavarur që e respekton veten.

Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës, por jo vetëm. Të njëjtit janë larguar edhe nga Gjyqësori dhe Policia.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Për profesorin anglez, duke pasur parasysh faktin se serbët në Veri të Kosovës kontrollohen nga Beogradi zyrtar, natyrisht e gjithë energjia e tyre është e fokusuar në shkaktimin e trazirave në Kosovë.

Prandaj Hehir, autori i dy librave për Kosovën “Ndërhyrja Humanitare pas Kosovës: Iraku, Darfuri dhe Regjistrimi i Shoqërisë Civile Globale” dhe “Kosova, Ndërhyrja dhe shtetndërtimi: Komuniteti Ndërkombëtar dhe Tranzicioni drejt Pavarësisë”, thekson se ekzekutivi kosovar nuk duhet të zmbrapset nga vendimi i tij në të kundërtën ai nuk do merret seriozisht si një shtet.

Intervista e plotë e Aidan Hehir për Albanian Post:

Albanian Post: Si e shihni ju vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, dhe cilat mund të jenë implikimet e tij në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili ishte dinamizuar mjaft shumë pas propozimit franko-gjerman?

Qeveria e Kosovës është sjellë ashtu siç do të sillej qeveria e çdo vendi të pavarur që e respekton veten. Ajo ka zbatuar një marrëveshje me Serbinë – e cila kishte mbështetje ndërkombëtare – që lidhet me një çështje shumë të thjeshtë administrative. Çështja është bërë problematike vetëm sepse disa nga serbët e Kosovës refuzojnë të pranojnë autoritetin e Prishtinës dhe po e përdorin këtë çështje si mjet për të provokuar trazira. Ata mbështeten në qëndrimin e tyre nga Beogradi, i cili synon të destabilizojë Kosovën përgjithmonë. Kjo çështje ka të ngjarë të ndikojë në dialog, por duhet mbajtur mend se dialogu nuk po shkon askund tash e shumë vite dhe Kosova nuk do të fitojë asgjë nëse kapitullon sa herë që Beogradi shkakton telashe.

Lexo edhe:  Shpërthim në Mitrovicë, u gjuajt granatë në veri

Albanian Post: Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës…  çka duhet bërë saktësisht Qeveria e Kosovës tani?

Qeveria duhet t’i përmbahet fort qëndrimit të saj dhe të mos lejojë agjentët e një shteti agresor të minojnë paqen dhe stabilitetin brenda kufijve të Kosovës. Kosova nuk do të merret seriozisht si një shtet i pavarur nëse ngacmohet nga Beogradi ose nëse ajo tërhiqet sa herë që ta kërkojë komuniteti ndërkombëtar. Burimi kryesor i destabilitetit në rajon është Serbia; nëse ShBA-të, Britania e Madhe, Franca e të tjerë kanë vendosur të qetësojnë Vuçiç’in dhe regjimin e tij autoritar, atëherë ata po bëjnë një gabim të madh dhe Kosova nuk duhet të ndjekë këtë politikë fatkeqe.

Albanian Post: A mund të themi se me largimin e serbëve nga institcuionet është mbyllur edhe një farsë, ajo e integrimit të serbëve në Republikën e Kosovës. Pse Kosova me vite të tëra nuk ka mundur t’i integrojë serbët e Kosovës në institucionet e Kosovës, por jo vetëm?

Serbët në komunat veriore kanë rezistuar gjatë ndaj integrimit, por serbët në pjesët e tjera të Kosovës – të cilët përbëjnë shumicën e serbëve në Kosovë – kanë dëshmuar se janë shumë më pak armiqësorë ndaj Prishtinës. Udhëheqësit e serbëve të Kosovës në Veri kontrollohen nga Beogradi dhe kështu pozicioni i tyre natyrisht është i fokusuar vetëm në shkaktimin e trazirave. Ata nuk duhet të shihen si tregues të serbëve në Kosovë në tërësi dhe arsyeja kryesore për mungesën e integrimit është Beogradi dhe jo Prishtina.