Produketet “Made in Kosova”, më të shtrenjta se ato të importuara

Produktet esenciale të prodhuara në Kosovë dalin të kenë çmim më të lartë se produktet e njëjta të importuara nga vende të ndryshme të BE-së dhe rajonit.

Për këtë fenomen nga Klubi i Prodhuesve fajin ua hedhin tregtarëve, ndërkaq ekspertët e Ekonomisë thonë se për këtë fajin e kanë Institucionet pasi që sipas tyre prodhuesit duhet të paguajë doganë për 10% për çdo produkt të lëndës së parë.

Rritja e çmimeve në tregun e Kosovës s’ka të ndalur sidomos e produkteve vendore, të cilat shpesh herë janë më të shtrenjta se produktet e importuara. Arben Ferizi, Zv.Drejtor në një industri për prodhimin e mishit, vë në pah konkurrencën e ashpër pikërisht për shkak të çmimeve. Ai për këtë fajëson të gjitha Qeveritë, pasi siç thotë, ata nuk bënë asgjë në subvencionim apo në prioritet të kësaj industrie.

“…sot Kosova përballet me një konkurrencë të ashpër me blegtorinë serbe, kroate, ose hungareze me vet faktin që këto të tria shtete subvencionojnë 3 fish më shumë ose 4 fish, ose 8 fish më shumë në rastin e Hungarisë sesa që subvencionon Qeveria e Kosovës, për neve sot një krerë gjedh në Kosovë subvencionohet me 80 euro, në Serbi me 400 euro, në Hungari me rreth 600 euro dhe kjo e bënë sigurisht që t’ketë një disbalancë dhe demotivim për ngritjen e kapaciteteve prodhuese blegtorale në Kosovë”, tha Ferizi.

Berat Mustafa, kryetar i Klubit të Prodhuesve në Kosovë, thotë se politikat e vendeve të rajonit iu krijojnë mundësi kompanive prodhuese që të kenë çmime më konkurruese në treg. Mustafa gjithashtu akuzon tregtarët, të cilët, sipas tij, vendosin vet marzhën e fitimit.

“… unë ju sfidoj që t’shkoni te prodhuesit dhe e shifni që në prodhim dalin çmimet normale dhe konkurruese me importin, por marketet me marzhat e tyre ne nuk kemi impakt aty, 100% iu garantojmë se prodhuesit vendor në asnjë krizë nuk i ngrisin çmimet por janë politikat e marketeve që i bojnë politikat e tyre që ne nuk kemi impakt aty…”, tha Mustafa.

Lexo edhe:  Temperatura arrin 45 gradë, qytetari e ‘gjuan diellin me gurë’

Se mungesa e lëndës së parë dhe importimi i saj, ua vështirëson punën prodhuesve vendorë, e pohon edhe afaristi Ramiz Kelmendi. Thotë se shumica e lëndës së parë duhet të importohet dhe në këtë mënyrë prodhuesit vendor kanë ngarkesa doganore prej 10% edhe në material, por edhe në pjesët rezervë të makinerive. Sipas tij, çmimet në markete nuk mund t’i vendosin prodhuesit, por ato janë të bazuara në ligje dhe Kushtetutë.

“Pra asnjë tregtar dhe asnjë akter tjetër ekonomik nuk i nënshtrohet kërkesave të prodhuesve por i nënshtrohet kërkesave të tregut dhe konsumatorëve, raporti prodhues dhe tregtar është raport që ndërtohet është raport që ndërtohet sipas ekonomisë së tregut”, tha Kelmendi.

Zana Beqiri, drejtoreshë në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë thotë se Pasojat e pandemisë COVID-19, dhe lufta në Ukrainë, kanë bërë që të ketë një krizë globale për rritje të çmimeve dhe inflacionit në botë dh në Kosovë.

“Shkaku që ne varemi nga importi i lëndës së parë dhe kësi soji edhe vijnë çmimet që janë…është e arsyeshme që një produkt që vjen prej një vendi të BE-së të jetë më i lirë se një produkt vendor sepse ata prodhojnë shumë më shumë sepse kanë treg më të madh dhe natyrisht çmimi iu del shumë më i lirë”, tha ajo.

Pas paralajmërimit të ZRRE-së, për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 14%, në vendin tonë pritet që edhe çmimet e prodhime tjera vendore të shënojnë rritje./21Media