Problemi i mëhershëm i fut në sherr rahovecasit, 40-vjeçari sulmohet me kubëz betoni

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë.

Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në rrugën “Bekim Sylka” në Rahovec, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje, me synimin që t’i qërojnë hesapet.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari F.A., 48-vjeçar e ka sulmuar fizikisht viktimën me një kubëz të betonit, e për pasojë ia ka thyer edhe xhamin e automjetit.

Sinjali mëson se motivi i incidentit dyshohet të jetë një problem i mëhershëm që palët kanë pasur mes vete, e që i futi sërish në telashe.

Posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  Vdekja e 7-vjeçares nga goditja nga mjeti lundrues, shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Vlorë