Prizrenasi i dehur kërcënon me jetë bashkëshorten dhe vajzën, intervenon Policia

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike e bixhoz, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i dhunës në familjes është raportuar mbrëmë në Prizren, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktimat kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku kanë deklaruar se 56-vjeçari i ka kërcënuar se do i vrasë me thikë.

Viktimat kanë marrë edhe ndihmë mjekësore, për shkak të shqetësimit që kanë përjetuar.

I dyshuari, i cili është recidivist i dhunës në familje, është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga organet e hetuesisë. Po ashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në rast.

Pas përfundimit të procedurave policore, prokurori ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij në Gradicë të Drenasit