Prizrenasi godet fqinjin me shufër hekuri, kapen se ku do të futet kombajna në fillim për korrje

Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpeshherë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku dy persona janë futur në sherr si pasojë e një debati, për çka u desh intervenimi i Policisë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për dy fqinj, njëri prej të cilëve dyshohet se ka sulmuar tjetrin me shufër të hekurit.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari H.L., e ka goditur viktimën, pasi patën një mosmarrëveshje se në pronën e cilit prej tyre do të futej kombajna në fillim, për korrje.

Për pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Emergjencë për të marrë trajtim mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti si “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  34 vite nga greva e minatorëve, protesta që kishte dridhur themelet e Jugosllavisë