Prania e mercenarëve Wagner në veri të Kosovës, Svelça pranon ndërhyrjen ruse

“Shërbimet e aleatëve na kanë vendosur në gatishmëri. E dimë se rusët e kanë kaluar disa herë kufirin gjatë protestave në Veri”.

Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svleça, gjatë një interviste me italianen “La Reppublica”.

Kjo e fundit shkruan se konflikti po rilind në zemër të Ballkanit dhe se Kosova pretendon se Kremlini ka përdorur mercenarët e grupit “Wagner”.

“Kremlini nuk dërgon ushtarë këtu për të nxitur pakënaqësi dhe për të depërtuar në demonstrata. Ai vetëm duhet të dërgojë ‘instruktorët’ dhe 007-at”, thotë ministri.

Për të, qëllimi i Rusisë është përdorimi i Serbisë si një urë në zemër të Evropës.

Kjo duke e ndihmuar atë të ketë ushtrinë më të mirë të armatosur të ish-Jugosllavisë.

“Një akuzë e rëndë, e cila nëse vërtetohet mund të shkaktojë një konflikt të ri”, shkruan “La Reppublica”.

Nuk do të ishte hera e parë që Wagner përfshihet në konflikte të tilla.

Wagner është një grup paraushtarak rus, i themeluar nga Yevgeny Prigozhin, oligarku rus dhe aleati i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar grupin – një rrjet privat mercenarësh – për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë, Siri dhe Libi.

Putin-i gjithmonë ka mohuar çdo lidhje midis Kremlinit dhe Wagner.

Çfarë ndodhi në veri?

Ashtu siç dihet, vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për targat ka qenë kryefjala njëherësh edhe “preteksti” i revoltës serbe në kufi.

Serbia e ka kundërshtuar këtë duke reaguar përmes revoltës me protesta, dorëheqjeve të Listës Serbe dhe kundërshtive me dhunë të vendimeve të Kosovës.

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Lexo edhe:  Hoti ju bën thirrje deputetëve të votojnë pro Trustit: Nuk është zgjidhja e duhur, por është zgjidhja e vetme

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.