Pompa ‘EX FIS’ sërish cak i hajnave, tre të maskuar e të armatosur kryejnë grabitje

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Rastet më të shpeshta për të cilat ka raportuar në vazhdimësi Gazeta Sinjali kanë ndodhur në pompat e kompanisë EX FIS.

Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur edhe sot, te pompa që ndodhet në rrugën “Lidhja e Lezhës” në Prishtinë.

Sinjali mëson se tre persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin para të gatshme.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar edhe dy punëtorë të kompanisë, të cilët kanë deklaruar se të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje ’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Kjo është Njësia Speciale që është vendosur në Mitrovicë