17-vjeçari kapet duke vozitur pa patentë, dy familjarët e tij kërcënojnë dhe sulmojnë policët

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Agim Matoshi” në Ferizaj, ku Policia është sulmuar nga dy persona pasi e ndaluan familjarin e tyre, i cili lëvizte pa patentë shofer.

Sinjali mëson se posa Policia e kishte njoftuar të dyshuarin se do t’i konfiskohej vetura, dy familjarët e tij të mllefosur kanë filluar me kërcënime ndaj zyrtarëve policorë.

Për ta vënë situatën nën kontroll, Policia ka vendosur t’i arrestojë dy të dyshuarit, të cilët edhe pasi u prangosën, vazhduan me sjellje të njëjta, e madje edhe i sulmuan zyrtarët policorë.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar dhe më pas ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare”.

Lexo edhe:  Dyshohet se vodhi arkën me 200 euro në ‘Burger King’, ky është personi që u arrestua në Pejë