Policia zbarkon në shtëpinë e një qytetari në Kaçanik, ia gjejnë rreth 600 fishekë të fshehur në një ‘bidon’

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të Gjykatës kanë kryer dje bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të një qytetari në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se gjatë kontrollit të një shtëpie të pabanuar e cila është në pronësinë e të dyshuarit, në një bidon plastik janë gjetur dhe sekuestruar rreth 600 fishekë të ndryshëm.

50-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

 

Lexo edhe:  Arrin Iphone 15 Pro Max në Kosovë, ky është Mobishop-i që e solli i pari