Policia: Rreth 10 mijë euro iu grabitën shoferit të postës në autostradën “Ibrahim Rugova”
Një grabitje e armatosur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Duhel të Prizrenit, ku një person mashkull, 44-vjeçar, ka raportuar në polici se është sulmuar gjatë drejtimit të një automjeti tip kombi, i cili përdorej për shërbime të postës private.
Të dyshuarit nën kërcënim dhe me forcë i kanë marrë viktimës disa zarfa të mbyllur, të cilat dyshohet se përmbanin para.
Viktima nuk ka pësuar lëndime, ndërsa fillimisht nuk ka pasur informacion për shumën e saktë të parave.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, tha për Sinjalin se pas verifikimeve të mëvonshme, është raportuar se janë grabitur rreth 10,000 euro.
“Të dyshuarit, të armatosur, janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të tipit Golf. Policia ka reaguar menjëherë dhe po merret intensivisht me rastin. Hetimet janë në zhvillim me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve”, tha Bytyqi.
Policia apelon tek qytetarët që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit dhe kapjen e autorëve.

