Policia mohon se Njësia Speciale është nisur në veri
Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se janë nisur forca të njësive speciale drejt Mitrovicës së Veriut, pas raportimeve të disa mediave online.
Zëdhënësi i Policisë për rajon të veriut, Veton Elshani, mohoi se ka gjë të vërtetë në këto raportime.
“Jo. Nuk ka asgjë të vërtetë në këto raportime. Nuk janë nisur njësi speciale”, tha shkurtazi ai Elshani për Sinjalin.
Kujtojmë se një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut, e cila shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe supozohet të lirohet deri nesër, siç kanë kërkuar nga Inspektorati Komunal i kësaj komune, tashmë nën udhëheqje të Vetëvendosjes.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian ku tha se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut, për ta kërkuar lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, është në kundërshtim me përpjekjet për deeskalimin e situatës dhe uljen e tensioneve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë se më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.