Policia me aksion në Ferizaj, sekuestrohen katër automjete që transportonin drunj ilegalisht
Policia e Kosovës në Ferizaj dje ka realizuar një aksion të suksesshëm në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve”, duke ndaluar katër automjete që transportonin dru pa dokumentacion të duhur. Ky operacion u zhvillua pas marrjes së informacioneve operative për aktivitete të dyshimta në terren, raporton Gazeta Sinjali.
Në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, njësitet policore të stacionit në Ferizaj arritën të ndalojnë automjetet dhe të sekuestrojnë drunjtë, që dyshohet se ishin prerë dhe transportuar në mënyrë ilegale.
Policia ka njoftuar se ky aksion është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për parandalimin e prerjeve dhe shitjes ilegale të drunjve në rajonin e Ferizajt.Autoritetet kanë apeluar për bashkëpunim me qytetarët, duke i ftuar ata të raportojnë raste të dyshimta në numrat emergjentë apo përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Policia e Ferizajt ka theksuar se do të vazhdojnë kontrollet e intensifikuara dhe do të ndëshkojnë ata që dëmtojnë pyjet dhe mjedisin në mënyrë të paligjshme.