Policia kap recidivistët e veprave penale në Viti, njëri nga ta ik dhe gëlltit drogën që kishte me vete

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar së fundi në Viti, ku një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Safet Rexhepi’ ka hasur në dy persona të cilët janë të njohur për kryerjen e veprave të ndryshme penale.

Sinjali mëson se zyrtarët policorë kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit  marihuanë te njëri prej të dyshuarve dhe i njëjti më pas ka rezistuar gjatë arrestimit.

Ndërkohë i dyshuari tjetër ka marrë qesen me narkotikë dhe është larguar në drejtim të panjohur, për t’u paraqitur në vonë në stacion policor.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 21-vjeçari dyshohet se ka gëlltitur disa qese me drogë dhe të njëjtat i ka asgjësuar.

Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Pengim i personit zyrtar’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  I mori para një mërgimtari, ky është zyrtari i Gjykatës në Pejë që u arrestua sot