Policia kap mat të riun me armë në Mitrovicë, përfundon në ndalim policor

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar në orët e para të ditës së sotme në rrugën ‘Dëshmorët e 1903’ në Mitrovicë, ku janë parë disa persona të maskuar në afërsi të një diskoteke.

Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontrolluar veturën ku ndodheshin të dyshuarit dhe aty kanë gjetur e sekuestruar një armë zjarri me karikator, shufër metalike dhe maska të zeza.

22-vjeçari që ndodhej në veturë ka pranuar se të gjitha gjësendet janë të tij dhe si rrjedhojë ai është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Policia po e ruan argjendarinë pronari i së cilës u arrestua në lidhje me grabitjen në Suharekë