Policia bastis një shtëpi në Fushë Kosovë: 43-vjeçari kapet me armë ilegale, dërgohet në mbajtje

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.

Policia në koordinim me Prokurorinë gjatë ditës së djeshme kanë kryer bastisje në një shtëpi në fshatin Vragoli në Fushë Kosovë, pas informacioneve se një person posedon armë.

Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për një 43-vjeçar, i cili është kapur me një armë që e mbante pa leje, e të cilën dyshohet se edhe e kishte përdorur.

Revolja dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës”.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Ëndrra për Gjermaninë, gati 10 mijë qytetarë u pajisën me viza pune gjatë 2022-ës