Policia aksion në lokalin me muzikë ‘live’ në Drenas: Kapet një person me thikë e shufër metalike

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Të tilla raste shumë shpesh zbulohen edhe në lokale, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe pas mesnate.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Arllat të Drenasit, ku Policia ka zhvilluar aksion në një lokal që quhet ‘Muzikë Live”, ku është kryer kontroll brenda, si dhe në veturat e klientëve që ndodheshin brenda këtij lokali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjatë kontrollit të kryer, në një veturë, Polici ka gjetur një armë të ftohtë, thikë dhe një shufër metalike, që janë sekuestruar si dëshmi. Me t’u kryer aksioni, pronari i veturës është shoqëruar në stacion policor.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari A.C., ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë, në lidhje me veprën me të cilën ngarkohet dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci konvertohen në katolik