Plas sherri në burgun në Lipjan: Të miturit i matin forcat, rrahen me njëri – tjetrin

Përleshjet mes të burgosurve në qendrat korrektuese në vendin tonë nuk janë edhe aq të rralla. Raste të tilla e incidente të tjera, siç është ikja e të dënuarve, e gjetja e substancave narkotike janë goxha të shpeshta, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në Qendra Edukuese Korrektuese në Lipjan, ku dy persona dyshohet se janë rrahur me njëri – tjetrin pas një konflikti verbal që kanë pasur.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se dy të miturit fillimisht janë kapur mes vete me fjalë e më pas kanë hedhur bast se cili është më i “fortë”, situatë kjo që i futi në sherr.

Dy të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjeve teksa rasti më pas është denoncuar edhe në Polici.

Palët kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur dhe pas përfundimit të procedurave të nevojshme, është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Bie në prangat e Policisë 53-vjeçari i kërkuar nga Gjykata, dërgohet në vuajtje të dënimit