Plas sherri mes zyrtarëve të Agjencisë së Pyjeve, rrahen mes vete për matjen e drunjve

Përleshjet në vendet e punës nuk janë edhe aq të rralla në vendin tonë. Të tilla incidente ka pasur shpesh edhe në ndërmarrje private, por edhe në ato publikë. Kështu ndodhi edhe sot në mes të dy zyrtarëve të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy zyrtarë në Dragash janë përfshirë në një incident, pas një mosmarrëveshje për matjen e drunjve në fshatin Zgatar, sot paradite. Pasi rasti u raportua edhe në Polici, në vendin e ngjarjes ka intervenuar një njësi policore, që ka shoqëruar palët në stacion.

Siç mëson Sinjali, zyrtari E.K., 35-vjeçar, dyshohet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, pasi u kapën teksa bëhet konstatimi i një prone. Ata u kapën keq me vete, deri në atë pikë sa pasi njëri iu vërsul tjetrit dhe si pasojë u rrokullisën teksa përlesheshin.

Kolegët e tjerë të tyre arritën t’i ndanin dhe të kërkonin ndihmë nga Policia, teksa të dyshuarit kanë marrë edhe trajtim mjekësor, për shkak të lëndimeve.

Në lidhje me rastin, burimet thonë se është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  Fjolla Morina: “7 ditë e pamja, burrat ka Ramushi, gratë ka Memli”