Plas sherri mes të miturve në Vushtrri: 15-vjeçari i kërkon para bashkëmoshatarit për të mos e rrahur

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Në shumë prej këtyre rasteve janë të përfshirë edhe të miturit, siç ka ndodhur të hënën, në rrugën “Ajet Gërguri” në Vushtrri.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e pasdites, në një lokal, ku dy të mitur janë kapur me njëri-tjetrin si pasojë e një incidenti të mëhershëm.

Sinjali mëson se i dyshuari 15-vjeçar fillimisht ka pasur një zënkë verbale me viktimën, për të cilin pretendonte se e kishte sulmuar bashkë me shokët e tij. Për t’i qëruar hesapet mes tyre, i dyshuari kishte një kërkesë të çuditshme.

Sipas informacioneve të para, i mituri ka kërkuar para nga viktima për të mos e sulmuar fizikisht dhe nëse ai nuk do t’i jepte të holla, do ta pësonte me rrahje. Ashtu edhe ndodhi, pasi i dyshuari iu hodh në sulm bashkëmoshatarit, të cilit i shkaktoi lëndime trupore.

Rasti u denoncua menjëherë në Polici, me ç’rast i dyshuari është shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me përleshjen, kurse viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  Taksistit nga Fushë Kosova policia ia gjenë mijëra euro të fshehura në muri