Persona të maskuar në veri sulmojnë sërish me gurë gazetarët

Persona të maskuar kanë hedhur sërish gurë në drejtim të gazetarëve, që po raportojnë nga veriu.

Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, raporton se rasti ka ndodhur afër barrikadës që është vendosur në Çabër.

Ai ka dërgur edhe një video, ku shihen personat e maskuar.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me situatën në veri për prestigjiozen britanike “The Guardian”, ku ka thënë se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, por se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima.

Kurti ka thënë se duan të jenë sa më të kujdesshëm në këtë drejtim që të sigurohen se s’do të ketë destabilizim.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria të jenë në vend. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të një mendje për heqjen e barrikadave, por se edhe ata janë të shqetësuar se si do të përdoret kjo situatë.

“BE-SHBA të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi. Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, ka deklaruar Kurti.

Lexo edhe:  LIVE: Pistat e skijimit në Brezovicë, Boge dhe Brod

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar të shtunën se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.

“Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkohë, një javë më parë, Kryemninistri Kurti tha se KFOR’i u ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave dhe se po presin.

Kurti tha se beson se kjo është rruga më e mirë e mundshme për zgjidhjen e situatës.

“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, kishte deklaruar Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Kurti e kishte quajtur bllokimin e rrugëve si të papranueshëm, derisa kishte thënë se s’duhet të përsëritet në të ardhmen.

Ai i ka bërë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes për të gjithë.

“Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes. KFOR’i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurtë, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i lëvizjes, bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes, nga banda kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi policinë e EULEX’it, jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet edhe të jetë i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim”, kishte thënë Kurti.

Lexo edhe:  Një 23-vjeçare kosovare humb jetën në një aksident trafiku në Nju Jork