Përleshje mes tre të rinjve në Pejë, arrestohet një person – i sekuestrohen armë e thika

Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpeshherë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të hënën në Pejë, ku janë përfshirë tre persona, të cilët dyshohen se u kapën pas një mosmarrëveshje me tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se njëri prej tyre është arrestuar dhe në veturën e tij, Policia ka gjetur një armë me gaz, si dhe dy thika.

Sipas informacioneve të para, rasti u zbulua pasi dikush raportoi në Polici se të dyshuarit janë hasur të gjakosur në afërsi të një pompe dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Posa Policia është aktivizuar, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast i dyshuari ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë lidhur me rastin për të cilin dyshohet.

Armët që u gjetën në veturën e tij janë sekuestruar, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për të zbuluar se si ka ndodhur incidenti.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast kanë bërë me dije se rasti po hetohet.

“Raportohet për një mosmarrëveshje në mes tre personave meshkuj  kosovarë, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin e Pejës. Njëri nga personat është arrestuar dhe gjatë kontrollit të veturës së tij i janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz dhe dy thika. Rasti është duke u hetuar.

Lexo edhe:  Serbia arreston në mënyrë spektakolare kosovarin pasi në makinë mbante shqiponjën