Përleshje mes të rinjve në ‘Gizzi Grill’ në Prishtinë, njëri përfundon në QKUK e tjetri në ndalim

Përleshjet në lokale të ndryshme në kryeqytet dhe jo vetëm, sidomos pas mesnate janë të shpeshta.

Këto raste jo rrallëherë eskalojnë në sulme brutale. Kështu ka ndodhur edhe të shtunën në lokalin e Gizzi Grill në qendrën tregtare Grand Store në Veternik, raporton Gazeta Sinjali.

Në rrahje, motiv i së cilës dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e momentit, janë përfshirë dy persona, të cilët kanë përfunduar në stacion policor, njëri si i dyshuar për rastin e tjetri si viktimë.

Burimet e Sinjalit thonë se bëhet fjalë për të dyshuarin D.Elshani, i cili po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën T.Berisha, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në përleshje, dyshohet se është përfshirë edhe një grua, e cila e ka sulmuar fizikisht të dyshuarin kryesor.

Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para se si ka ndodhur rasti.

Ndaj të dyshuarit kryesor, të njëjtat burime thonë se Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe pronarin e lokalit, i cili ka thënë se mund të deklarohet posa të lirohet.

Lexo edhe:  Një person vdes në Prishtinë e një në Podujevë, dalin detaje nga policia