Përleshje mes nxënësve të shkollës ekonomike, dy të mitur përfundojnë në spital

Javëve të fundit janë raportuar plot raste të përleshjeve brutale mes nxënësve qoftë brenda hapësirave të shkollave, por edhe jashtë tyre.

Kjo dukuri po alarmon drejtoritë e këtyre institucioneve arsimore dhe prindërit, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Podujevë, ku disa nxënës të shkollës së mesme ekonomike ‘Isa Boletini’ janë përfshirë në një rrahje.

Sinjali mëson se si pasojë e lëndimeve të marra gjatë përleshjes, dy të mitur kanë përfunduar në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe si rrjedhojë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë marrë deklaratën e dy të miturve, të cilët kanë bërë me dije se janë rrahur me dy bashkëmoshatarë tjerë të cilët janë nxënës të shkollës së njëjtë ku vijojnë mësimet.

Policia ka kontrolluar të dyshuarit, me ç’rast te njëri është gjetur dhe sekuestruar një mjet i mprehtë.

Pas veprimeve hetimore është arritur që të kapen edhe dy të dyshuarit tjerë dhe të gjithë personat e përfshirë në rrahje janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, katër të miturit janë ndaluar për 24 orë dhe ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’. Ndaj të miturit që u kap me thikë, është iniciuar rasti edhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  18-vjeçari kapet në flagrancë me boks hekuri, shoqërohet në Polici