Përleshje me thika në Fushë Kosovë: 22-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK
Një ngatërresë mes të rinjve ka ndodhur sonte në rrugën “Xhemajl Mustafa” të Fushë Kosovës. Përleshja, motivet e së cilës ende nuk dihen ka eskaluar në përdorimin e thikës, me ç’rast lëndime ka pësuar një 22 vjeçar. Për pasojë, i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se Policia është njoftuar pak minuta pasi i riu është therur dhe një patrullë policore menjëherë ka intervenuar, duke marrë deklaratën e viktimës.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një përleshje mes viktimës dhe dy personave të tjerë, njëri prej të cilëve po dyshohet se e ka therur në të dy këmbët, duke i shkaktuar plagë.
Pas marrjes së informatave të para, Policia ka nisur hetimet për kapjen e të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.