Përleshje e kanosje me vrasje në Prishtinë: 52-vjeçari shkon i armatosur në oborrin e fqinjit, ai e sulmon

Në orët e mbrëmjes të së premtes, në rrugën “Demë Ahmeti” në Prishtinë, janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohen të jenë përfshirë në një përleshje, ku pati edhe kërcënime me armë. Gjithçka dyshohet se ndodhi në oborrin e shtëpisë së njërit prej të dyshuarve.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se dy të dyshuarit, M.L., 29-vjeçar dhe Y.F., 52-vjeçar, u përleshën për shkak të një debati lidhur me disa punime (një sasi e dheut që u hodh) që ishin kryer afër shtëpisë së të dyshuarit të parë.

Konflikti mes tyre duket se përfundoi deri në momentin kur i dyshuari 52-vjeçar i shkoi 29-vjeçarit i armatosur në shtëpi, ku dyshohet se e kanosi seriozisht me një armë, duke iu drejtuar “unë ty ka me t’vra”, thotë burimi i Sinjalit. Sipas informacioneve të para, përveç kanosjes, i dyshuari ia kishte shpuar të dyshuarit tjetër edhe gomën e veturës së tij.

Kjo bëri që dikush ta njoftojë Policinë, me ç’rast njësitet policore me urdhër të Prokurorit e aprovim të Gjyqtarit kryen bastisje, ku gjetën edhe municion, prova këto që bashkë me armën u konfiskuan.

Sinjali mëson se të dyshuarit u shoqëruan më pas në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje. Njëri do të hetohet për kanosje dhe posedim të paautorizuar të armëve, ndërkaq tjetri për sulm.

Lexo edhe:  Vjedhje e rëndë në Suharekë, hajnat hyjnë në një shtëpi dhe vjedhin para e stoli ari në vlerë të 8 mijë eurove