“Për syfyr na zgjojnë oficeret” – Gratë në Burgun e Lipjanit flasin për agjërimin

Muajt ecin e nuk ndalen, por njëri prej tyre është më emocional, veçanërisht në rrethanat në të cilat janë ato.

Është koha e iftarit, dhe gratë në Burgun e Lipjanit, përgjatë korridorit të ftohtë mes qelive presin në radhë që t’u servohet ushqimi.

Nga rreth 40 të dënuara që janë aktualisht aty, shumica prej tyre e agjërojnë muajin e Ramazanit.

Iftari nëpër dhoma të veçanta është i zymtë, andaj këto të dënuara ia krijojnë sadopak një mjedis familjar vetës, e tavolina nën shoqërinë e njëra-tjetrës ua jep sadopak ndjenjën e shtëpisë.

“Muaji i Ramazanit pavarësisht vendit në të cilin ndodhem ku jena këtu, është atmosferë e mirë për aq sa mundemi me kriju na mrenda, edhe pse është mungesa e familjes, sofrës tonë, po ne siç pe shihni edhe vetë ne me shoqëri, e krijojmë edhe një lidhje si familjare”, tha një e dënuar.

E njejta në këtë ambient po e kalon ramazanin e 12-të e do të kalojë edhe të tjerë, por ky fakt, nuk duket ta ketë ndikuar qëndrimin e saj.

“Duhet njeri me ja kriju vetës një rutinë personale se ajo të ndihmon jo me mbijetu por me jetu shumë lehtë mrenda, pra varet prej individit, qysh e përcepton qëndrimin e vetë këtu brenda”, tha një e dënuar.

Ajo që u shërben ushqimin shoqeve të burgut është më e rë në moshë, dhe edhe ajo agjëron, e një prej pjesëve të rutinës, i duket e pabesueshme.

Për syfyr na zgjojnë oficeret, vjen oficerja na thirrë për syfyr se kam besu që ndodhë, bile kur shkon me thirrë tjetrën, kthehehet shikon a je zgju se i dhimbsesh a mos ke mbet në gjumë”, tha një e dënuar.

Përderisa thotë se brenda trajtimi i bëhet mirë nga të dënuarat që kanë fëmijë jashtë në moshën e saj, ajo e pret shpejt lirimin.

Lexo edhe:  Si në filma: Momenti kur arrestohet një person në qendër të Prishtinës

“Me ndejt me dikë më të madh këtu, mu më mëson shumë, Ramazani është muaji i mëshirës, edhe s’ke nevojë me ja shiku askujt veprat, secila jemi njerëz, të gjithë e kemi bërë një gabim dhe jemi në pendim”, tha një e dënuar.

Në një prej mureve të burgut, qëndron edhe një vakti e Ramazanit, me data të rrumbullakuara për ditët që i kanë agjëruar.

Ato që kanë mbetur nuk janë shumë, krahasuar me numrin e ditëve që ato do t’i gjejë brenda këtij institucioni. /Dukagjini