Pejë: I riu në sherr me Policinë, shkakton tri aksidente dhe ikë – kapet me drogë dhe rezulton i kërkuar

Tri aksidente të trafikut u bënë ‘sebep’ që Policia ta prangos një person që po kërkohej me urdhërarrest, e te i cili u gjet edhe drogë. Rasti ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Kuvendi i Lezhës” në Pejë, ku Policisë i doli goxha punë pasi i dyshuari tentoi të ikë pasi u aksidentua disa herë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari fillimisht kishte shkaktuar dy aksidente trafiku, e më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes, por sërish ishte aksidentuar. Policia është vënë në ndjekje të tij, derisa ka arritur ta ndalojë.

Sinjali mëson se pasi i dyshuari u kap, gjatë kontrollit policor, në veturën e tij i gjet një sasi e substancës narkotike, e dyshuar marihuanë.

Tentativat e tij për të ikur dhe posedimi i drogës bënë që Policia t’ia vë prangat të 35-vjeçarit të dyshuar dhe të njëjtin ta shoqërojë në stacion policor.

Pasi i riu u dërgua në Polici, gjatë verifikimit, rezultoi se ka qenë në listën e personave të kërkuar, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest për një vepër që dyshohej se e kishte kryer.

Me t’u përfunduar procedurat, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarit.

Lexo edhe:  200 euro për punëtorët e sektorin privat, vjen lajmi i fundit për këtë kategori