Pejani rrah familjarët, ata e thërrasin policinë, pësojnë edhe zyrtarët policorë

Policia e Kosovës ka arrestuar dje një 49-vjeçar në rrugën “Shemso Feri”, në Pejë, pasi u denoncua fillimisht për dhunë në familje, por që sulmoi edhe zyrtarët policorë. Gjithë ngjarja dyshohet se ndodhi pasi babai i të dyshuarit njoftoi stacionin policor se i biri po ushtron dhunë në familje. Pasi njësitet policore dolën në vendin e ngjarjes, situata u tensionua.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në momentin që Policia arriti në shtëpinë e të dyshuarit, i njëjti u gjet lakuriq teksa lëvizte nëpër oborrin e shtëpisë, teksa kishte sjellje agresive.

Për të mos lejuar që të përshkallëzohej situata, Policia ka tentuar ta fus nën kontroll të dyshuarin, por ka hasur në rezistencë, pasi ai po dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë. Në pamundësi të arrestimit të tij, patrulla ka kërkuar asistencë ka disa njësi tjera me ç’rast i dyshuari është kapur.

Sipas informatave të para, për shkak të dyshimeve se ka probleme psikike, ai është dërguar fillimisht për ekzaminim mjekësor. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që t’i caktohet masa e ndalimit policor për veprat penale “dhunë në familje” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  Vihet në kontroll zjarri masiv që shpërtheu në fabrikën e plastikës në Drenas