Pasi rrogat dolën pa shtesën e rrezikshmërisë, dhanë dorëheqje rreth 30 policë

Kryesindikalisti i Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri në një lidhje direkte me Radio Dukagjinin ka thënë se një pjesë e pjestarëve të policisë së Kosovës, mllefin dhe paknaqësinë lidhur me Ligjin e Pagave e kanë shprehur në mënyrë individuale duke dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia e Kosovës.

Ai ka thënë se deri më tani kanë dhënë dorëheqje 30 zyrtarë të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2023.

Mbi 8 mijë e 500 policë që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në sektorin publik nuk kanë marrë shtesën për rrezikshmërinë.

Nga ana tjetër, Sindikata e policëve ka bërë thirrje që në muajin qershor ti marrin pagat së bashku me pjesën e rrezikshmërisë, për ndryshe do të veprojnë me metoda sindikale.

Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës në Radio Dukagjini ka thënë se nëse shtesat për rrezikshmërinë nuk ekzekutohen së bashku me pagën e muajit maj sic edhe kanë premtuar edhe për herën e tretë Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme, si sindikatë do të veprojmë konform kërkesave të zyrtarëve policorë dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë.

“Ju i përmendet rreth 8 mijë e 500 zyrtarë të uniformuar me autorizime policore, mirëpo ne kemi të punësuar në Policinë e Kosovës të punësuar dhe mbi 900 pjestarë të tjerë të stafit civil dhe mbështetës që janë të profileve të ndryshme të profesioneve e që edhe te ata është e njëjta paknaqësi për shkak se ata nuk janë klasifikuar sipas profesioneve që i kanë dhe te një numër i konsiderueshëm apo te shumica e tyre ka pas zbritje page me ligjin e ri të pagave, sic ka pas edhe tek një kategori e zyrtarëve policor të uniformuar zbritje page ”, ka thënë Zeqiri.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë te “Kafet e Vogla”, dyshohet se ka të plagosur

Ai ka thënë se kanë pasur pritje për ngritje të pagave, mirëpo heqja apo mosekzekutimi i shtesave të rrezikshëmrisë dhe zvoglimi apo kufizimi i shtesave të tjera sipas ligjit të pagave me 1% të buxhetit “ka qenë një paknaqësi që si sindikatë që kemi shprehur që në fillim, ende pa u bërë ekzekutimi i pagave dhe këtë kërkesë e kemi derguar te Avokati i Popullit e që kjo po ndodh në vazhdimësi”.

“Në rast se të gjitha këto shtesa dhe shtesa për rrezekshmëri e cila nuk është ekzekutuar që tre muaj, është një demotivim jashtëzakonisht i madh dhe te të gjithë pjestarët e policisë shihet një paknaqësi”, ka thënë Zeqiri.

Sipas Zeqirit, trendi i rritjes së dorëheqjeve mund të rritet në rast se nuk do bëhet ekzekutimi i shtesave të rrezikshëmrisë.

“Informacionet nga terreni janë se paknaqësit janë jashtëzakonisht të mëdhaja dhe në përgjithësi pjestarët e Policisë së Kosovës po ndihen të diskriminuar”.

Zeqiri ka thënë se deri në miratimin e Ligjit të ri të pagave, kanë qenë shtatë nivele të rrezikshmërisë, “duke filluar nga 105 deri në 215 euro”.

Ai tutje ka thënë se me kërkesë të qeverisë është themeluar një komision vlerësues për rrezikshmëri në Polici, dhe atë e kanë bërë duke përpiluar pesë nivele të rrezikshmërisë dhe atë raport e kanë dorëzuar në qeveri dhe është konstatuar se do jetë vlera e njëjtë e rrezikshmërisë, por se një zbatim i kësaj nuk ka ndodhur dhe arsyetimi i qeveritarëve sipas Zeqirit ka qenë se ata ende nuk kanë arritur ta bëjnë përllogaritjen e këtyre shtesave dhe këtë e kanë thënë si arsyetim për mosekzekutimin e deritanishëm të tyre.