Pas zjarrit që u përhap sot në Podujevë, Policia arreston një person
Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në Peran të Podujevës.
Nga zjarri fillimisht dyshohet se është përfshirë një dyqan (mobileri), në katin e sipërm të një pompe derivatesh dhe më pas zjarri ka filluar të marrë përmasa më të gjera të shpërndarjes, duke përfshirë edhe pompën e derivateve, njofton Klan Kosova.
Në këtë rast janë shkaktuar vetëm dëme materiale, nuk është raportuar për persona të lënduar.
Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit, policia, të cilët kanë bërë lokalizimin e zjarrit si dhe evakuimin e personave të atë zonë.
“Bazuar në vlerësimet nga terreni, në vend ngjarje janë angazhuar zyrtarë të FSK-së, KEDS-it, zyrtari i komunës për hetimin e shkaqeve të zjarrit, të cilët në bashkëpunim me policinë dhe prokurorin janë marrë me rastin”.
“Pas hetimit preliminar, në koordinim me prokurorin e shtetit, është arrestuar një person i dyshuar, i cili është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është inicuar rast për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.