Pas më shumë se një viti në arrati, bie në pranga i dyshuari për vrasjen e rëndë në Kaçanik

Ditën e 10 majit të vitit të shkuar, një ngjarje e rëndë tronditi Kaçanikun. Dy vëllezërit Hasan dhe Kastriot Berisha u qëlluan me armë zjarri. 31-vjeçari, Hasani, mbeti i vrarë, ndërsa vëllai i tij mori plagë të rënda. Dy të dyshuarit për rastin ishin arratisur nga vendi i ngjarjes dhe që atëherë ishin në kërkim policor.

Policia Rajonale në Ferizaj përmes një komunikate për media bën me dije se autoritetet gjermane kanë ekstraduar në Kosovës njërin prej të dyshuarve, i cili ishte arrestuar disa ditë më parë në Gjermani.

“Me kërkesë të autoriteteve vendore, sot, datë 16.09.2023, autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T ( M/K ) i moshës 38 vjeçar, i cili ditë më parë është arrestuar në Gjermani”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjykata Themelore në Ferizaj tashmë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për të dyshuarin, teksa vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin tjetër, Hiqmet Qorri.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  "Gjetja e një banese me qira në Gjermani është si intervistë pune"