Parashikimi i motit për sot dhe fillimin e javës

Sot do të fillojë destabilizimi i motit, por temperaturat e larta vazhdojnë ende edhe pse do të kenë tendencë uljeje.

Paradite me diell dhe shumë nxehtë dhe zagushi. Pasdite me zhvillime të fuqishme konvektive. Vende-vende priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër, por reshjet nuk do të jenë gjithëpërfshirëse. Temperaturat maksimale deri në 35 gradë Celsius me tendencë të uljes së tyre sidomos në zonat e rrebesheve të shiut dhe vranësirave.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot me diell dhe zhvillime lokale të vranësirave orëve të pasdites ku priten rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër sidomos në disa zona në Maqedoninë Veriore dhe zonat kodrinore-malore të Shqipërisë. Temperaturat do të fillojnë të ulen ngapak.

Nga e hëna na pret mot gjithnjë e më jo-stabil. Priten intervale të gjata kohore me diell sidomos paradite, por pasdite zhvillime të vranësirave të dendura dhe zhvillime të shtrëngatave të fuqishme lokale me shi, vetëtima e bubullima masive si dhe breshër. Më së paku zhvillime priten në Shqipëri e sidomos në bregdet, por nganjëherë edhe atje mund të ndodhë ndonjë shtrëngatë lokale afatshkurtër.

Temperaturat do të shënojnë ulje, megjithatë do të mbetet nxehtë dhe me zagushi të fortë sidomos në orët kur do të ketë intervale të gjata kohore me diell./MeteoBallkan

Lexo edhe:  Hidhen dyshime për arsyen e sulmit me kallasha tek Top Channel