Para në këmbim të anulimit të votave’, Rashiq shkon sot në KQZ, dyshon për manipulim me vota nga Lista Serbe

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, sot do t’i drejtohet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta informuar zyrtarisht mbi pretendimet e tij se Lista Serbe po përpiqet të manipulojë votat për të siguruar pushtet absolut.

Rashiq tha dje se ka marë informacione nga bashkëpunëtorët e tij që janë vëzhgues, të cilët janë kontaktuar nga numra të panjohur duke iu ofruar para në këmbim të anulimit të votave të partisë që ai e udhëheq.

“Kjo nuk po ndodh vetëm në një komunë, por në të gjithë Kosovën. Do të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta informuar zyrtarisht mbi këto pretendime dhe për të kërkuar më shumë vëmendje mbi manipulimet e mundshme”, tha dje Rashiq.

Për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe mund të mbetet pa të dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, pasi, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një vend parlamentar mund t’i takojë Nenad Rashiqit, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Rashiq, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.

Lexo edhe:  Lirohen dy pronat publike përball objektit të AKI-së