Papa Françesku lëndon krahun në rrëzimin e dytë në gati një muaj

Papa Françesku u rrëzua të enjten dhe lëndoi krahun e djathtë, njoftoi Vatikani, vetëm disa javë pasi një tjetër rënie duket se rezultoi me një mavijosje të rëndë në mjekër.

Papa Françesku nuk e ka thyer krahun, por krahu iu lidh me fasho si masë paraprake, tha zëdhënësi i Vatikanit në një deklaratë.

Më 7 dhjetor, Papa goditi mjekrën në komodinën e tij në një rënie që duket se shkaktoi një mavijosje të madhe.

Papa 88-vjeçar, i cili është përballur me probleme shëndetësore, përfshirë periudha të gjata të bronkitit, shpesh duhet të përdorë një karrige me rrota për shkak të gjunjëve të dobët. Ai përdor një shkop kur lëviz nëpër apartamentin e tij në hotelin Santa Marta të Vatikanit.

Vatikani tha se rënia e së enjtes ndodhi gjithashtu në Santa Marta dhe Papa më vonë u pa në audiencë me krahun e djathtë të lidhur. Në një nga takimet, Papa Françesku kërkoi falje që përdori dorën e majtë për një shtrëngim duarsh kur përshëndeti kreun e fondit të OKB-së për zhvillimin e bujqësisë, Alvaro Lario.

“Këtë mëngjes, për shkak të një rënieje në Casa Santa Marta, Papa Françesku pësoi një nxirje në parakrahun e djathtë, pa ndonjë frakturë. Krahu është imobilizuar si masë paraprake”, thuhet në njoftim.

Spekulimet për shëndetin e Papa Françeskut janë të vazhdueshme në qarqet e Vatikanit, veçanërisht pasi Papa Benedikti XVI theu traditën 600-vjeçare dhe dha dorëheqjen në vitin 2013, raporton VOA.

Ndihmësit e PapaBenediktit ia atribuojnë vendimin një rënieje natën që ai pësoi gjatë një udhëtimi në Meksikë në vitin 2012, pas së cilës ai vendosi se nuk mund t’i përmbushte më kërkesat e detyrës në mbarë globin.

Lexo edhe:  Hajnat vjedhin mbi 11 mijë franga dhe stoli ari në vlerë të mbi 5 mijë eurove në një shtëpi në Malishevë

Papa Françesku ka thënë se nuk ka në plan të japë dorëheqjen së shpejti, megjithëse Papa Benedikti “e ka çelur derën” tashmë për këtë mundësi.

Në autobiografinë e tij “Shpresë” të publikuar këtë javë, Papa Françesku thotë se nuk e kishte menduar të jepte dorëheqjen as kur pati një operacion më të madh në zorrë.