I riu që u arrestua për rrahje e sulmon policin në stacionon policor në Gjilan, e godet në fytyrë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të dielën, por këtë herë në stacionin policor në Gjilan.

Sinjali mëson se i dyshuari 36-vjeçar, fillimisht ishte shoqëruar në Polici pasi ishte përfshirë në një rrahje në Partesh. Brenda hapësirave të stacionit, ai po dyshohet se ka pasur sjellje agresive, duke i kërcënuar e ofenduar zyrtarët policorë.

Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat policorë dhe ka vazhduar me veprime të njëjta derisa njërin nga zyrtarët policorë e ka goditur.

Për ta vënë situatën nën kontroll, kanë intervenuar kolegët e tij, teksa polici që pësoi lëndim ka marrë trajtim mjekësor.

Ndaj të dyshuarit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo edhe:  Shefi rrah punëtorin në Prizren, u kapën për shkak të punëve ndërtimore