OJQ-të serbe: Moslejimi i patriarkut që të hyjë në Kosovë është kundër Planit të Ahtisaar-it

Disa organizata joqeveritare serbe kanë reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të mos ia lejuar hyrjen në Kosovë të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirje.

Sipas tyre, praktika e deritanishme e autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me dispozitat e “Planit të Ahtisaarit”, ku thuhet se i njëjti përcakton qartë të drejtat, privilegjet dhe imunitetet për klerikët e Kishës Ortodokse Serbe.

“Përkatësisht, neni 1.6. Shtojca V parashikon se: “Kosova nuk mund të ndalojë arbitrarisht hyrjen ose qëndrimin në Kosovë për priftërinjtë, seminaristët, murgjit, murgeshat, laikët dhe personat e tjerë të ftuar dhe anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe”. Një vendim i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me konventat ndërkombëtare, të cilat garantojnë lirinë e lëvizjes si e drejtë themelore e njeriut (e garantuar edhe me nenin 13 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut)”, thuhet në reagimin e tyre, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në reagim thuhet se refuzimi për vizitën e patriarkut, nuk është akt i izoluar ndaj Kishës Ortodoske Serbe, pasi sipas tyre, Qeveria e Kosovës është duke refuzuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.

“Duke pasur parasysh të gjitha që u potencuan më sipër, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kërkojë falje Patriarkut dhe Kishës Ortodokse Serbe për vendimin në fjalë, si dhe të mos e përsërisë vendimin në të ardhmen, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet aktuale në Kosovë. Veçanërisht theksojmë se rrethanat politike në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të përdoren si arsyetim për shkeljen e Kushtetutës, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Gjithashtu, kërkojmë nga qeveria e Kosovës që sa më shpejt të zbatohet vendimi i vitit 2016 për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit”, thuhet në reagimin e OJQ-ve, transmeton Klankosova.tv.

Lexo edhe:  Vdes në moshë të re Enver Krasniqi nga Vushtrria

Më tej, këto organizata i bënë thirrje organizatave ndërkombëtare në Kosovës që të mos heshtin ndaj vendimeve të tilla, pasi sipas tyre, këto vendime ngrenë tensione.