Njësia Speciale tërhiqet nga fshati Banjskë, zëvendësohet me një njësit tjetër

Pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga fshati Banjskë i Zveçanit dhe tani do të zëvendësohen me pjesëtarë të njësitit intervenues. Kështu ka bërë të ditur zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani gjithashtu tha se në Banjskë janë edhe zjarrëfikësit të cilët po bëjnë pastrimin e rrugëve që shumë shpejt fshati t’i kthehet normalitetit.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës janë tërhequr nga fshati Banjskë, për t’u zëvendësuar me NjRSh-në. Poashtu janë sjellë edhe zjarrëfikësit të cilët kanë bërë pastrimin e rrugëve dhe pritet që ngadalë dale fshati Banjskë t’i kthehet normalitetit”, tha Elshani.

Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të dielës së 24 shtatorit, rreth orës 03:00 në fshatin Banjskë është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë nga terroristët serbë ku si pasojë e gjuajtjeve mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.

Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit serbë të armatosur dhe policisë.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Nga ky sulm terrorist u bë e ditur se tre terroristë serbë janë vrarë, kurse dy terroristë dhe katër të tjerë të përfshirë në sulm i kanë arrestuar.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e bërë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po vazhdon operacioni policor në veri, derisa ka shtuar se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in e EULEX-in.

Lexo edhe:  Mësuesi që s’e mori pagën: Gjithmonë i prisja nxënësit me bonbone, dje i prita duarthatë