Një person plagoset me armë zjarri në Prishtinë, Policia në kërkim të të dyshuarve

Një person mbeti i plagosur nga disa të shtëna me armë zjarri në rrugën “ Haxhi Zeka” në kryeqytet. Policia e Kosovës doli në vendin e ngjarjes por ende nuk është arrestuar asnjë person.

Shenjat e krimit janë ende prezente.

Këtu në lagjen “Kolovica” në Prishtinë, të martën pati të shtëna me armë zjarri.

E përfshirë në këtë incident, ishte edhe kjo veturë e cila ishte braktisur këtu në rrugën “Haxhi Zeka” në kryeqytet.

Ndërkaq, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës ku u tha se nga të shtënat është plagosur një person.

“Sot rreth orës 13:40 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Haxhi Zeka’ në Prishtinë.Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person.”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, ende nuk është arrestuar ndonjë person lidhur me këtë rast.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, kanë deklaruar nga Policia.

Në vendngjarje u panë hetuesit policorë të cilët po mblidhnin të gjitha provat që çojnë drejt zbulimit të rastit.

E pas ekzaminimit të vendgjarjes, rruga u lirua për qarkullim, derisa vetura e dyshuar u largua nga policia.

Krejt këtë ngjarje e panë disa banorë të kësaj lagjeje, të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës, por që i thanë televizionit se po ndjehen të shqetësuar me rastet e këtilla

Lexo edhe:  Vendet që do të mbesin sot pa rrymë deri në 5 orë