Një muaj arrest shtëpiak të dyshuarit për sulmin seksual ndaj të miturës në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit U. A., dhe i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual.

Sipas kërkesës, “ditën kritike pasi që e mitura ishte së bashku me shoqen e saj duke u kthyer nga shkolla, e takojnë të pandehurin, ku i njëjti ia bën me shenjë që të largohet nga shoqja e saj, e mitura/dëmtuara largohet me mendimin se do që ta përshëndes, i pandehuri gjatë asaj kohe e kap për qafe dhe e puth ne pjesën e qafës tek veshi me qëllim seksual pa dashjen e saj, ku më pas e mitra/dëmtuara lajmëron rastin në polici”.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer vepër penale, “Sulmi seksual”, e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është masë më e butë dhe e mjaftueshme për të pandehurin në fjalë, për të siguruar hetimin e pa penguar të kësaj çështje penale.

I pandehur do të mbahet në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit deri më 04 dhjetor 2023. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Lexo edhe:  Shqiptari Liridon B. gjendet i vdekur në një hekurudhë në Gjermani