Konflikt familjar në Prishtinë: Vjehrra ushtron dhunë ndaj nuses, ajo e denoncon në Polici

Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur nga dhuna pësojnë edhe nuset të cilat kanë probleme me vjehrra.

Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në rrugën “Kadri Bajri” në Prishtinë, ku një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së djalit të saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 30-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se është kërcënuar nga vjehrra e saj – pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarën, e cila është intervistuar lidhur me rastin.

Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është marrë edhe dëshmia e bashkëshortit të viktimës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  U rrokullis me traktor në bjeshkë, vdes i riu nga Juniku