Një kilometër nëntokë, rreziqet që i kanosen minatorëve të Trepçës çdo ditë

E nisin çdo ditë punën në një thellësi prej më shumë se tetëqind metra nën tokë, me mision kryesor për të nxjerrë pasurinë nëntokësore të vendit të tyre, Kosovës.

Minatorët hyjnë e dalin tek hyrja kryesore e Minierës së Stantërgut, e cila gjendet në Mitrovicë.

Rreziku me të cilën përballen ata çdo ditë është i pakontestueshëm, derisa pagat e tyre mbesin më të ulëtat në rajon.

Paga më e ulët e një punëtori të nëntokës është diku te 600 euro, ndërsa kualifikimi më lartë i minatorit paguhet me 816 euro me punën më të rrezikshme.

Ish-kryetarit të Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, për Gazetën “Enigma”, ka rrëfyer sfidat me të cilat përballen çdo ditë punëtorët e nëntokës, për rrezikun, kushtet dhe pagesat ndaj tyre.

Osmani thekson se rreziku në brendësin e Trepçës nuk evitohet asnjëherë.

“Çdo minierë i ka kushtet e vështira, punëtorët janë të dalluar dhe të veçantë sepse punojnë nëntokë. Rreziqet janë të papritura, për shembull uji që na vjen, rryma është defekti më kryesor dhe ashensori, këto janë problem më shqetësuese për punëtorin. Dy rreziqet kryesore janë rryma dhe defektet. Nëse ka defekt dhe nuk ka rrymë ne nuk mundemi me dal dhe anasjelltas”, rrëfen Osmani.

Madje njëjtë me ta edhe familjarët e tyre bashkë ndjejnë problemin më të vogël që ndodh aty.

“Për çdo punëtor që është aty familjarët e ndjejnë njëfarë shqetësimi, për çdo problem në minierë familjet menjëherë thërrasin familjarët e tyre për ti pyetur se a janë mirë, a kanë dalë a ka me zgjatë shumë, a është rrezik. Neve na ka ndodhur që edhe familjarët që i kemi në perëndim në momentin që e shohin lajmin na kontaktojnë menjëherë, na thirrin a je në punë a je kanë a je ngjarje, gjithkush për atë të vetin e ka njëfarë brenge. Pra gjithmonë edhe punëtorët edhe familjarët janë me këtë breng se në çdo kohë mund të ndodhin defektet, por shqetësimi kryesor është se sa do të zgjasë ajo gjendje”, thekson gjatë intervistës ai.

Lexo edhe:  Skandal, dhunë fizike ndaj një vajze në “It’s my home”, kërkohet ndërhyrja e policisë

Tutje ai thotë se vet e ka përjetuar tmerrin kur ka ndodhur ndonjë defekt në minier. “Unë e kam përjetuar vet, na ka ndodhur që defekti nuk ka mundur të rregullohet për një kohë të gjatë, për shembull ka ndodhur thyerja e boshtit kryesor dhe nuk ka mundur të rregullohet për një kohë shumë të gjatë, atëherë alternativa tjetër është që nga aty të dalim në këmbë”, potencon ai.

Tutje ai ka rrëfyer edhe për pagat e punëtorëve të nëntokës që sipas tij janë të vogla krahasuar me punën që kryejnë ata.

“Pagat nuk janë reale. Duhet të ketë dallime për punëtorët e tokës dhe nëntokës.Me ligjin e punës, me kontratë kolektive, me pension, dhe me pension familjar, minatorët nuk i kanë asnjë të rregulluara. Ne punojmë 40 vjet në minierë dhe në fund dalim si të papunë në pension. Krahasuar me vendet e Evropës ne nuk kemi asgjë. Ata kanë ligje të punës, kanë shkurtesa, kanë benifite, të gjitha i kanë, ndërsa ne s’kemi asgjë”, rrëfen ish kryesindikalisti i Trepçës.

Ai potencon se “Shqipëria e ka të rregullume që minatorët me 55 vjet me dal në pension, 10 vite para neve si minatorë, kurse ne me 65 vjet sikur ai që punon në barnatore sikur ne që punojmë në minierë”.