Një 20-vjeçare në Obiliq vdes në rrethana të dyshimta, Policia nis hetimet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Plemetin të komunës së Obiliqit, ku një 20-vjeçare ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. E ndjera u dërgua me urgjencë në spital, por nuk ka arritur që të mbijetojë.

Sinjali mëson se viktima është Elvira Ramliku, e cila ishte dërguar nga familjarët e saj me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Prelluzhë, ku i është dhënë ndihma e parë.

Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej, ajo është udhëzuar ë të transferohet me urgjencë në Emergjencën e fshatit Llapnasellë të komunës së Graçanicës. Pavarësisht intervenimit të stafit mjekësor, e reja ka ndërruar jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë deklaratat e familjarëve të të ndjerës.

Bazuar në dëshmitë e tyre, 20-vjeçarja pasi ka dalë nga banja e shtëpisë, ka filluar të nxjerrë shkumë nga hunda dhe goja dhe të njëjtit kanë tentuar t’i japin ndihmë e më pas e kanë dërguar në spital.

Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërsa rasti është iniciuar ‘Hetim i vdekjes’.

Lexo edhe:  Më shumë se gjysma e Kosovës pa rrymë në tri ditët e ardhshme - Ky është orari i reduktimeve