Nisin hetimet ndaj pronarit të një laboratori privat në Vushtrri, dyshohet se nënshkroi analiza kundërligjshëm

Secili person që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur në qytetin e Vushtrrisë, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se subjekt i hetimit është pronari i një laboratori privat i cili është i licencuar.

Sinjali mëson se i dyshuari A.Xh., i cili nuk është profesionist shëndetësor, pavarësisht se kishte marrë vërejtje nga Inspektorati shëndetrsor dhe ishte gjobitur me 8 mijë euro, sërish kishte nënshkruar rezultate të analizave që janë kryer në laboratorin e tij.

I dyshuari ende nuk është arrestuar, teksa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’.

Lexo edhe:  Rrebeshe shiu dhe rënie temperaturash, moti për fundjavë dhe javën e ardhshme