Ky është pronari i ‘Accura Lab’ në Vushtrri që dyshohet se kundërligjshëm ka nënshkruar analizat

Sot u raportua për nisjen e hetimeve ndaj pronarit të një laboratori privat në Vushtrri, i cili dyshohet se kundërligjshëm ka nënshkruar analizat e kryera në biznesin e tij. I dyshuari ende nuk është arrestuar nga Policia.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arbër Xhemajlin, i cili ka në pronësi laboratorin ‘Accura Lab’ në Vushtrri.

Ani pse Xhemajli nuk është profesionist shëndetësor dhe pavarësisht se kishte marrë vërejtje nga Inspektorati shëndetësor dhe ishte gjobitur me 8 mijë euro, sërish kishte nënshkruar rezultate të analizave që janë kryer në laboratorin e tij.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Xhemajlin sot dhe i njëjti ka deklaruar se ende nuk është paraqitur në stacion policor që të japë dëshminë e tij.

“Tash kom me shku [në stacion policor]. Domethanë procedurat jonë t’u shku. Duhet me këqyrë tash çka është në pyetje”, tha ai.

Xhemajli pohoi se nuk është në dijeni se për çfarë arsye kanë nisur hetimet, duke qenë shumë i shkurtër në përgjigjet e tij.

“Ja, jo”, tha ai, teksa u përgjigj vetëm me ‘po’, kur u pyet për gjobën e shqiptuar ndaj tij nga Inspektorati shëndetësor.

Xhemajli shfaqi pakënaqësinë e tij për raportimin e Sinjalit, duke thënë se ndoshta s’do duhej raportuar pa marrë prononcimin e tij.

“Pa më intervistu ndoshta s’ka qenë dashtë, a pe din, me ba të madhe, se domethanë tash është gjithçka në rregull, a pe din edhe s’po di. Qetash jom pak nxanë diçka, veç nëse bon me bisedu ma vonë diçka”, tha ai për Sinjalin.

Tutje pronari i “Accura Lab” tha se nuk e di nëse ka mundësi që sot të paraqitet në stacion policor, teksa nuk ka dhënë informacione nëse është profesionist shëndetësor.

Lexo edhe:  Plaçkitet me armë një market në Mitrovicë, dyshohet se u vodhën mbi 20 mijë euro

“Te shoh, te shoh nëse mundem. Ndoshta duhet edhe një ditë tjetër, për shkak të do dokumenteve që duhet me i përgatitë e sene. Qeshtu. S’po di ma shumë s’muj me dhanë informata. S’muj kurrgjë me dhanë informata. Është çështje mes neve edhe Ministrisë edhe Policisë. S’muj jam nxanë diçka”, përfundoi Xhemajli.

Kujtojmë se me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’.