Ngacmohet seksualisht një 22-vjeçare në mes të rrugës në Prishtinë, një burrë e godet me shuplaka në të pasme

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Për këtë fenomen shqetësues ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta pas ngjarjes që tronditi vendin, dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Edhe pas kësaj ngjarje, Sinjali ka raportuar edhe për disa raste të tjera të ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se për një rast të tillë Prokuroria ka nisur hetimet, pas denoncimit të një 22-vjeçareje, e cila ka njoftuar Policinë se është ngacmuar seksualisht dje, në Prishtinë.

Sinjali ka mësuar detaje nga denoncimi që është bërë në Polici, ku e reja ka rrëfyer se si ndodhi rasti në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë, ajo ka deklaruar se është ngacmuar seksualisht nga një burrë, i cili i ka shkuar nga mbrapa me motoçikletë, derisa ajo ishte rrugës për në punë.

Burimet thonë se bëhet fjalë për një 31-vjeçar, i cili fillimisht dyshohet se e kishe ngacmuar vajzën me fjalë, e pastaj e ka goditur me shuplaka në të pasme.

Kjo situatë e pasiguri e ka shqetësuar jashtëzakonisht viktimën, e cila ka lajmëruar menjëherë Policinë, por i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Pavarësisht tentativës për t’iu ikur prangave të Policisë, sot, në orët e mëngjesit, ai u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor. Gjatë intervistimit, Sinjali mëson se ai e ka pranuar që e ka ngacmuar seksualisht viktimën. Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është iniciuar rasti si “Ngacmim seksual”.

Lexo edhe:  Policët e Kosovës me pajisje të skaduara – kërkohet furnizim urgjent në tri komuna