Hoxha vushtrrias që vdiq në moshën 40 vjeçare, la pas 5 fëmijë

Dje, në varrezat e fshatit Maxhunaj, me praninë e shumë hoxhallarëve dhe xhematit të shumtë, pas namazit të ikindisë, u varros imami i Xhamisë “Haxhi Ejup” të Vushtrrisë, Hajrullah ef. Musa, i cili ndërroi jetë në moshën 40 vjeçare, raporton VushtrriaPress.

Hajrullah ef. Musa lindi më 25.01.1983 në Dumnicë e Epërme të Vushtrrisë. Shkollimin fillor e kreu në fshat, ndërsa atë të mesëm në Prishtinë, përkatësisht në Medresenë “Alaudin”, për të vazhduar më pas me fakultetin islamik në Tripoli të Libisë.

Siç raporton VushtrriaPress, me t’u kthyer në vendlindjes, ai u angazhua si imam në xhaminë e fshatit Dumnicë e Poshtme, ndërsa më pas, në vitin 2018, kaloi imam në xhaminë “Haxhi Ejup” në qytet, detyrë kjo në të cilën e gjeti edhe vdekja.

Ka qenë i njohur për korrektësinë në punë, raportet e mira me kolegët dhe mbi të gjitha përkushtimin për detyrën e imamit. E lexonte Kuranin bukur dhe rrjedhshëm.Ka qenë i martuar dhe baba i pesë fëmijëve.

 

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në rrugën e Istogut, ka të lënduar