Ngacmohet një vajzë e mitur, i dyshuari e ndoqi mbrapa deri në market

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Në shumicën e rasteve viktima po del të jenë edhe të miturat. Për një rast të tillë që ka ndodhur sot në Prizren, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vajza e mitur ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se është ndjekur nga një person i panjohur i moshës madhore.

Bazuar në dëshminë e saj, derisa ajo ka qenë duke shkuar për vizitë te xhaxhai i saj, i dyshuari e ka përcjellur në çdo hap deri në momentin kur ka hyrë brenda një marketi.

I dyshuari edhe aty ka shkuar pas saj, duke i kërkuar shitëses që gjërat të cilat i ka marrë vajza, do t’i paguajë ai. Për ngacmimin nga i dyshuari, e mitura ka njoftuar shitësen duke thënë se ndjehet e frikësuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Ngacmim’, ndërsa janë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Tentim vrasja në Podujevë: Ky është i dyshuari që e gjuajti 36-vjeçarin disa herë me armë