Nesër nisin inspektime afër Novi Pazarit, dyshohet për varrezë masive

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se të mërkurën do të zhvillohen inspektime në terren në fshatin Kozhle afër Novi Pazarit, për shkak të dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.

Në njoftimin e lëshuar nga ky komision, ky zhvillim ndodh si rezultat i kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve të delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Theksojmë se ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.

Tutje është kërkuar sërish që gërmimet në terren të shoqërohen me të dhënat nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit të varrit masiv dhe në sigurimin e provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Tutje është kërkuar sërish që gërmimet në terren të shoqërohen me të dhënat nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit të varrit masiv dhe në sigurimin e provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

“Vlerësimet në terren në këtë lokacion, do të përcillen edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit për Mjekësi Ligjore. Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së të vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet më tej në njoftim.

Lexo edhe:  Kapen mbi 10 kg substancë narkotike në Gjilan, arrestohet 26-vjeçari i dyshuar