“Nëse s’vepron siç them është i vdekur”: Ky është gjakovari që e kërcënoi fqinjin për lyerjen e shtëpisë
Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë.
Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Gazeta Sinjali raportoi dje për një rast të tillë që ka ndodhur në Gjakovë, ku janë përfshirë dy fqinj.
Siç raportoi Sinjali të martën, një person e ka kërcënuar fqinjin e tij, pas një mosmarrëveshje mes tyre dhe për pasojë ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Bashkim Demaj, i cili e ka kanosur me vrasje viktimën, duke u futur kështu në telashe.
Sipas informacioneve të para, gjithçka dyshohet se lidhet me konfliktin mes tyre për lyerjen e shtëpisë së viktimës, që u bë mollë sherri dhe ata nuk arritën të merren vesh.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Ndër të tjera, i dyshuari edhe në Polici ka deklaruar se do ta vras fqinjin e tij, në rast se nuk vepron siç e kishte kushtëzuar ai.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti si “Kanosje”.